“Bajerni sërish kampion”, legjenda bavareze: Borusia Dortmundit i mungojnë…bastardët

Lotar Mateus komenton situatën e Bajernit të Mynihut dhe Borusias së Dortmundit përpara nisjes së sezonit të Bundesligës. Gjatë një interviste për “Sport Bild”, kur legjenda e futbollit gjerman pyetet përse fituesit e tripletës nuk mund të shpallen sërish kampionë këtë sezon, thotë: “Nuk e shoh një mundësi të tillë, sepse Bajerni do të jetë sërish kampion. Madje, unë shkoj edhe më tej. Sa superior dhe dominues e tregoi veten Bajerni i vitit 2020 në Bundesligë, nuk ka ndodhur kurrë në historinë e kampionatit. Ka një atmosferë brenda skuadre nën drejtimin e trajnerit Hansi Flik, të cilën unë nuk e kam përjetuar kurrë më parë në këtë klub, as me Jup Hajnkesin në vitin e tripletës 2013”.
mateus
Eksperti i “Sky” nuk shikon një dobësim të mundshëm të skuadrës, pavarësisht largimeve të mundshme të emrave të rëndësishëm: “Me Tiagon Bajerni ndoshta do të humbasë një futbollist i cili ishte i rëndësishëm sezonin e shkuar, por unë mendoj se Korentë Toliso mund ta mbushë këtë hapësirë. Kampioni i botës me Francën më kujton Leon Goreckën, i cili e përfaqësoi shumë mirë Tiagon sezonin e shkuar”. Sipas kampionit të botës 1990, konkurrentëve të Dortmundit u mungon diçka: “Borusia ka nevojë për më shumë lojtarë, më falni për shprehjen… bastardë. Nuk mund të fitosh asgjë vetëm me talent dhe lojtarë të rinj. Uli Hënes (presidenti i nderit të Bajernit) nuk e kishte me të keq kur ai ia mohoi Dortmundit cilësinë për të qenë një rivale për titull sepse klubi dorëzon vazhdimisht lojtarët më të mirë të tij. Është e vërtetë që ti nuk do ta rrezikosh kurrë Bajernin në plan afatgjatë me këtë sjellje në politikën e transferimeve”.
sanco
Bajerni ka Leroi Sanenë, Dortmundi Xhejdën Sançon. Nëse Mateusit do t’i lejohej që të bënte një zgjidhje si trajner, thotë se do ta kishte të vështirë: “Që të dy lojtarët janë të shkëlqyer. Ata mund t’i blesh që të dy verbërisht, pavarësisht se unë e shikoj Sançon pak më shumë të rrezikshëm, por është e rëndësishme që ta përdorësh një futbollist kaq të jashtëzakonshëm në mënyrën e duhur, në mënyrë që t’i marrësh më të mirën. Lysien Favre nuk e bëri gjithnjë këtë në rastin e Sanços sezonin e shkuar, veçanërisht në ndeshjen vendimtare kundër Bajernit”. Dhe në lidhje me trajnerin zviceran, gjërat mund të shkojnë keq për trajnerin e Dortmundit, i cili e nis sezonin me një kontratë në skadencë: “Për shkak të incidenteve dhe deklaratave nga klubi në të shkuarën, besoj se Favre do të vihet në diskutim me humbjen e parë”.

ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL


close