EKSKLUZIVE/ Takim urgjent në Shkodër, Ademi thërret “senatorët”. Ja prapaskenat te Vllaznia

Sinjale pozitive për një zgjidhje të situatës në Shkodër. Bojkoti i stërvitjes për të tretën ditë radhazi ka alarmuar kryebashkiaken Voltana Ademi. Lojtarët nuk kanë pyetur për presionin që ka bërë klubi për masat e mundshme që do të marrë, duke konfirmuar se janë të bashkuar dhe kësaj çështjeje do t’i shkojnë deri në fund.
Voltana Ademi
“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se pak orë më parë, Ademi ka thirrur në një takim urgjent pesë lojtarë titullarë të Vllaznisë, me në krye kapitenin Gilman Lika.

“Ju keni të drejtën tuaj për ato që pretendoni, por ju lutem na jepni pak kohë për të zgjidhur këtë situatë. Premtimi im është që do të merrni ato që ju takojnë, por kthehuni sa më parë në stërvitje, sepse ky është një dëm i madh për imazhin e klubit. Bëjeni për mua”. Kështu mësohet të ketë thënë kryebashkiakja para “senatorëve” të Vllaznisë.
VLLAZNIA
Këta të fundit kanë kërkuar garanci absolute nga klubi dhe në të njëjtën kohë i kanë bërë të ditur sot zonjës Ademi se vetëm nesër do të vendosin nëse do të kthehen ose jo në fushë.

Të dielën lojtarët do të takohen për të diskutuar me njëri-tjetrin pas këtij takimi urgjent me Ademin. Nesër do të shihet nëse ata do t’i japin apo jo fund bojkotit.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL


close